SPAK ka marrë shumë dëshmi në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Por dëshmia më e bujshme ka ardhur nga modelja e njohur Kejvina Kthella.
Disa muaj pasi u vu në qendër të vëmendjes së mediave për një lidhje të mundshme me Redjan Rrajën, Kejvina është ‘zbërthyer’ para policëve.
Ajo ka treguar se më datën 31 tetor 2019 ka qenë në banesën e Redjanit, ku ka kaluar natën. Në dëshminë e saj, ajo ka treguar se ka komunikuar përditë në telefon me të dhe se Redjani i kishte thënë që do shkonte në Durrës tek disa miq.

Më datë 2 nëntor, Redjani i kishte thënë Kejvinës se ndodhej jashtë vendit. Modelja ka rrëfyer se biseda mes tyre ka vijuar edhe më datë 3.
“… Herën e fundit që jam takuar me Redjanin ka qenë ditë e enjte, datë 31.10.2019. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes unë ndodhesha në banesë dhe ka ardhur Redjani. Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij.
Ishin duke pirë diçka me sa më tha ai, por nuk di detaje me saktësi. Dua të them se unë kam komunikuar thuajse çdo ditë me Redjanin në telefon, por nuk jemi takuar. Me sa mbaj mend, ditën e shtunë, më datë 02.11.2019, kur kam komunikuar në telefon, Redjani më ka thënë se ishte jashtë shtetit.
Po kështu, edhe ditën e diel, më datë 03.11.2019 kemi komunikuar normalisht rreth orëve të paradites dhe thjeshtë kemi bërë bisedë normale. Unë komunikoj nëpërmjet telefonit tim, me numër 06924 XXXXX, Redjani disponon numrin e telefonit 06920 XXXXX”, ka dëshmuar Kejvina.
