Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
Prej andej, ata kanë konfirmuar se do të garojnë bashkë në zgjedhje. Osmani do të kandidojë me listën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që do mbahen më 14 shkurt në Kosovë.

Albin Kurti është shprehur se më 16 janar do të dorëzojnë listën e deputetëve për zgjedhjet. Në fjalën e tij, ai u shpreh se viti 2020 tregoi që Kosova ka nevojë për një kryeministër të ri dhe presidente të re.
“Ne e kemi presidenten që e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet. E ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum duhet ta rilegjitimojmë këtë”, tha Kurti.
Vjosa Osmani në këto zgjedhje kërkon postin e presidentes së Kosovës, post që është duke e mbajtur momentalisht. Ajo tha se do të kërkojë një rilegjitimim të presidencës që të përfaqësojë unitetin e popullit.
