Një skandal i ka ndodhur një qytetari me bankën IuteCredit!
Marsel Morava është një i ri nga Korça, i cili ka denoncuar në emisionin “Stop” vjedhjen e identitetit që i është bërë. Marseli ka rrëfyer se është marrë një kredi në emër të tij në vlerën e 1 milionë e 500 mijë lekëve tek banka “IuteCredit” në korrik të vitit 2020.
Por Marseli asnjëherë nuk e ka marrë këtë kredi, e cila bashkë me interesat, kap shumën e 2 milionë e 600 mijë lekëve. I riu e zbuloi këtë skandal kur shkoi më 2 shtator tek banka ku merr rrogën dhe teksa donte të merrte një ‘over draft’, punonjësja e bankës i tha se rezulton debitor në një bankë tjetër.
Pasi bisedoi me punonjësen e bankës, ajo e pyeti Marselin nëse ka qenë në Vlorë sepse aty është bërë blerja. Por aty Marseli nuk ka qenë asnjëherë.

I riu dyshon se atë mund ta ketë mashtruar një profil fake vajze në Facebook, me të cilën ka komunikuar në 31 korrik. Marseli ka deklaruar se kësaj vajze i dërgoi një foto të kartës së identitetit të tij që ajo të bindej për moshën e tij.
Por të nesërmen, ky profil nuk ekzistonte më. Marseli ka komunikuar me drejtorin e Krimit Ekonomik dhe ka bërë denoncimin për falsifikim të dhënash dhe të firmës së tij.
Ndërkohë, institucioni financiar ka deklaruar se ka denoncuar rastin e falsifikimit. Ky rast tregon se në IuteCredit privatësia dhe identiteti i qytetarit nuk kontrollohet ashtu siç duhet të ndodhte, një rast që fatkeqësisht mund t’i ndodhi edhe dikujt tjetër.
Mirëpo, ky nuk është i vetmi rast kur IuteCredit është akuzuar nga qytetarët. Vet ish kryeministri Sali Berisha disa kohë më parë ka postuar në rrjet denoncimin e një qytetari.
Ky i fundit ka ngritur shqetësimin për një kredi që ka marrë tek IuteCredit dhe presionet që ushtrohen mbi të nga përfaqësuesit ligjorë të kësaj kompanie.
“Kam marre 1 miljon leke te vjetra kredi te İUTE CREDIT para nje viti dhe do paguja gati 500 mij leke me shum… Problemi im esht se un kam lijkujduar gati gjysmen e shumes dhe kam disa muaj qe nuk kam mundesi ta laj me kestin mujor sepse kam ngel pa pun jam ne mes te rrugve kto te İUTE CREDIT me marrin çdo dy jave ne tel dhe me thon qe te ka shkuar borxhi 2 miljon e 700 mij lek te vjetra kur un kisha per te shlyer dhe rreth 880 mij leke me bejne presione nga me te ndryshmet do te çojm ne gjykat do te sekuestrohen asetet qe ke ne pronesi… Jam i ndergjegjshem se ato lek qe kam marre borxh do ti laj ne momentin e pare qe do filloj pun por me beni habi se si nga gati 900 mij lek te vjetra qe kisha kta me bejne presion qe te paguaj 2 miljon e 700 mij kjo esht nje vjedhje e paster”, shkruante qytetari dixhital tek denoncimi i publikuar nga Berisha.
Një tjetër denoncim mbi IuteCredit vjen nga Rrushe Kolbaj, e cila ka deklaruar se djali i saj i sëmurë kishte marrë një kredi tek IuteCredit.
Ajo ka deklaruar se më 21 shkurt 2020, djali i saj me aftësi të kufizuara, është mashtruar nga IuteCredit. Vet 60 vjeçarja nuk ka pasur dijeni mbi këtë kredi.
“E shkrova emrin vet tha, ai nuk di të shkruajë emrin, një shkronjë këtu dhe një aty, do një letër sa tavolina”, u shpreh e moshuara, e cila nuk ka mundësi të paguajë këstet.
Ajo ka ngritur dyshime se si ky institucion mund të japi kredi për një person që nuk është në marrëdhënie pune. Ajo ka kërkuar një zgjidhje të këtij problemi.
IuteCredit është një nga disa institucione që japin kredi në pak minuta, mjafton të paraqitesh me një kartë identiteti dhe të jesh në një marrëdhënie pune, pa kolateral dhe pa asgjë tjetër.
“IuteCredit” njihet për nivelin e lartë të interesave, filialet e së cilës në Kosovë u mbyllën pikërisht për këtë shkak. Nëse futesh në faqen zyrtare të kësaj kompanie, me anë të një baromentri mund të llogarisësh kredinë që do bashkë me shumën që duhet të paguash.
Gjithmonë sipas faqes zyrtare të kompanisë IuteCredit, nëse një qytetar merr 3 milionë lekë të vjetra kredi me afat 36 muaj, duhet të paguajë në fund të 3 viteve plot 6.4 milionë lekë. Kështu, kemi një interes afërsisht 22 % në muaj. Interesi lëviz në sajë edhe të afatit që vendos, por në këtë rast është marrë një afat prej 3 vitesh.
Siç mund të shihet, IuteCredit ka interesa shumë të larta për qytetarët, të cilët janë ankuar shpesh për këto tarifa./Flashnews.al