Rënie drastike e vlerës së lekut. Sot blejmë më pak, ndërhyn Banka e Shqipërisë

1000 lekëshi nuk ka më të njëjtën vlerë si një vit më parë. Sipas përllogaritjeve te Institutit të Statistikave te cilat tregojnë se nëse do të hynim në një market për të blerë sot me këtë 1000 lekësh do të merrnim më pak produkte, me inflacionin që po “gërryen” vlerën e lekut.

Rritja e çmimeve filloi pas rënies se pandemisë dhe në muajin shkurt te këtij viti, arriti në nivelin më të lartë në 11 vite. Njerëzit morën para nga qeveritë, ndërsa qëndronin të karantinuar dhe Banka Qëndrore uli në nivele rekord normat e interesit gjë që e bënte shumë të lehtë për të marrë një kredi apo për të bërë investime. Qarkullimi i lekut në këto kushte ishte mjaft i lartë dhe kreditimi u zgjerua në nivele rekord.

Të dhënat tregojnë se nga viti 2003, Banka e Shqipërisë i ka dërguar normat e interesit nga 8.5%, në rekordin më të ulët historik, 0.5% në 2020-ën.

- Advertisement -

Prej dy vitesh Banka nuk i ka luajtur normat, por me inflacionin që po qëndron prej 3 muajsh mbi nivel, ndërhyrja mund të jetë e afërt.

“Është detyrim ligjor i Bankës që të na ruajë nga kjo taksë që na vjedh paratë në xhep, i cili është inflacioni. Për mendimin tim ndërhyrja e Bankës është disi e vonuar në këto kushte dhe duhet të ishte marrë më shpejt”, thotë Bardh Sejdarasi.

Shqipëria ka pasur periudha shumë më të këqija inflacioniste se kjo e tanishmja. Në vitin famëkeq 1997 inflacioni qëndronte në nivelin 45% valutat e huaja si dollari shkuan mbi nivelin psikologjik te 200 lekeve.

Një përqindje e konsiderueshme e inflacionit në vend vjen nga mallrat e importit që po vijnë më shtrenjtë, sipas statistikave të tregtisë së jashtme, ndërsa pjesa tjetër po shkaktohet nga rritja e çmimit të lëndëve të para si lëndët djegëse, energjia elektrike dhe plehrat kimike me bizneset që po i reflektojnë te produktet e shportës.

Eksportet shqiptare janë zgjeruar ndjeshëm edhe gjatë shkurtit. Të dhënat e Instat flasin për rreth 37 miliardë lekë apo rreth  300 milionë euro mallra “Made in Albania” të eksportuara drejt vendeve partnere.

Në raport me një vit më parë, u zgjeruan me rreth 97 milionë euro më shumë, ndikuar së tepërmi edhe nga rritja e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, teksa Italia vijon të jetë partneri kryesor tregtar.

Rritjen më të madhe e ka shënuar grupi i mineraleve e lëndëve djegëse duke arritur në rreth 78 milionë euro, gati dyfish më shumë se kundrejt një vitit më parë, teksa janë zgjeruar ndjeshëm edhe eksportet e materialeve të ndërtimit e metalet.

Edhe pse me ritme të ngadalta për shkak të goditjes që mori nga pandemia, duket se industria fason ka shfaqur shenja përmirësimi këtë fillim vit, pasi vlera e eksporteve të tekstileve e këpucëve në shkurt arriti në 10.6 miliardë lekë, gati 85.5 milionë euro. Ndërsa si raport 2-mujor, arritën në 20.7 miliardë lekë, duke zënë peshën kryesore të totalit të mallrave të eksportuara.

Vlera e importeve po ashtu ka shënuar rritje të fortë muajin e kaluar kryesisht prej shtrenjtimit të fortë thuajse për të gjitha mallrat në tregjet globale.

Sipas të dhënave Instat arritën në 69 miliardë lekë muajin e kaluar nxitur edhe nga shtrenjtimi i çmimeve, rreth 17 miliardë lekë më shumë se krahasuar me shkurtin e vitit 2021. Importet janë udhëhequr nga grupi i makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, ndjekur nga mallrat ushqimore, pijet e duhani.

Përballë kësaj vale rritjeje të çmimeve, ku vendi ynë preket drejtpërdrejt pasi konsumi bazohet në mallrat e importit, nga njëra anë përfiton arka e shtetit, teksa goditen konsumatorët për të cilët kostot e jetesës janë rritur si pasojë e këtyre ndryshimeve edhe në tregjet ndërkombëtare.

Rritja e ndjeshme e importeve ka bërë që deficit tregtar, pra diferenca mes eksporteve dhe importeve të thellohet duke arritur në rreth 31 miliardë lekë në fund të shkurtit.

- Advertisement -

Të fundit

Të fundit