Procesi i vaksinimit kundër koronavirusit nisi për herë të parë ditën e sotme në vendin tonë. Gjithcka u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, ku gjithcka zgjati vetëm një orë pasi u vaksinuan vetëm 50 persona, mes të cilëve ishin kryeministri Edi Rama, shefja e Infektivit Najada Como dhe mjekët Pëllumb Pipero e Tritan Kalo.
Emrat e këtyre të fundit janë të njohur për publikun pasi janë shfaqur shpesh herë në studio televizive duke folur për koronavirusin, simptomat, situatën në spitale dhe mënyrën e mbrojtjes.
Nesër do të nisë sërish procesi i vaksinimit në orën 09:00 të mëngjesit, por nuk dihet se sa do të zgjasë.
Ndërkohë, rreth 1000 vaksinat që erdhën sot nga vendet partnere po ruhen në ISHP në temperaturën -80 gradë. Në stadiumin “Air Albania”, ku po kryhet procesi i vaksinimit do të mbërrijnë aq vaksina sa është numri i personave që do të vaksinohen.
Kur dërgohen, janë gjithmonë të shoqëruar nga efektivë policie për shkak të rëndësisë që kanë.