Shqiptarë anembanë botës janë ndërgjegjësuar dhe kanë dhuruar shuma parash apo ushqime e veshmbathje për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nuk kanë qenë të pakta rastet kur të moshuar apo njerëz në gjendje jo të mirë ekonomike, kanë bërë donacionet e tyre. Një rast prekës na vjen së fundmi nga një e moshuar pensioniste.
Ajo ka shkuar pranë qendrave në Tiranë që mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti. Me aq sa ka mundësi, ajo ka dhënë çfarë i ka mbetur në shtëpi, duke shpresuar se do t’i hyjnë në punë njerëzve.
E moshuara ka thënë se nuk ka të holla që t’i jepte pasi është e vetme. “Nuk kam njeri tjetër, kam kokën time. Kam dy batanije, katër palë xhinse, dy bluza, një shall për dimër edhe një mbulesë”, ka thënë ajo, një gjest që ka emocionuar të gjithë.