Dita e Verës është një festë pagane e cila brez pas brezi është festuar në vendin tonë. Kjo festë mbushi sot rrugët e qytetit me dhjetra vizitorë nga qytetet e tjera si dhe turistë të cilët zgjodhën ta vizitonin Elbasanin pikërisht në këtë ditë.
Dita e verës përfundoi paqësisht ndryshe nga vitin e kaluar ku nga ditë festimesh u kthye në ditë përplasjesh fizike mes mbështetësve të PD-së dhe Partisë Socialiste. Shkak u bë axhenda në të njëjtën orë në bulevard e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, të cilët shkëmbyen edhe akuza.
Gjatë gjithë javës Elbasani ka qenë i mbushur plot me aktivitete argëtuse. Festimet startuan mbrëmjen e djeshme me koncertin i cili zhvillohet çdo ditë në sheshin ‘Gensher’ duke vijuar mëngjesin e sotëm me paradën e karnavaleve të fëmijëve të shkollave 9-vjeçare.
Më pas festimet vijuan me koncertin e organizuar nga ‘Bashkia Elbasan’ ku performoi edhe një nga grupet me te dashura për publikun shqiptar ‘Elita 5’. Qytetarët ndërkohë kanë vizituar edhe panairin e ditës së verës.
Ndryshe nga viti i kaluar këtë herë për festën e Ditës së Verës në Elbasan nuk pati asnjë konflikt. Gjatë kësaj dite nuk munguan edhe figurat e ndryshme politike dhe urimet e tyre për qytetarët e Elbasanit.